
Një vendim i pazakontë, por shumë i ndjerë nga qytetarët, është marrë në Umbria, ku tashmë do të jetë e mundur që njerëzit të varrosen së bashku me kafshët e tyre shtëpiake.
Me rregullin e ri rajonal, autoritetet kanë lejuar që hiri i kafshëve të vendoset në të njëjtin varr ose në varrezën familjare, duke reflektuar lidhjen e fortë emocionale mes njerëzve dhe kafshëve të tyre.
Sipas rregullave, kjo do të jetë e mundur vetëm nëse ekziston një dëshirë e shprehur nga personi gjatë jetës ose një kërkesë nga familjarët pas vdekjes.
Ligji parashikon gjithashtu që kafshët duhet të jenë të kremuara dhe hiri i tyre të vendoset në një enë të veçantë, për të respektuar standardet higjieno-sanitare.
Presidentja e rajonit, Stefania Proietti, e cilësoi këtë vendim si një “akt qytetarie”, duke theksuar se ai respekton ndjenjat dhe lidhjet e forta që njerëzit kanë me kafshët e tyre.
Autoritetet janë duke përgatitur rregulloren për zbatimin praktik të ligjit, që do të përcaktojë procedurat për komunat dhe shërbimet funerale.






