Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi këtë të enjte kërkesat e opozitës PD-PL për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Kërkesa për ARRSH u rrëzua me 75 vota kundër dhe 28 pro, ndërsa ajo për AKSHI me 76 vota kundër dhe 28 pro.

Gjatë debatit në seancë plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, argumentoi se kërkesat e opozitës nuk përmbushin kriteret kushtetuese dhe bien ndesh me nenin 77 të Kushtetutës, pasi nuk trajtojnë një çështje të veçantë dhe të mirëpërcaktuar.

Sipas Ballës, objekti i kërkesës është shumë i gjerë dhe synon të marrë kompetenca që i përkasin institucioneve të drejtësisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai theksoi se deputetët nuk janë as prokurorë dhe as gjyqtarë dhe se komisionet hetimore duhet të kufizohen vetëm në funksionin e kontrollit parlamentar.

“Duhet të ndalim duplikimin e hetimit penal dhe të respektojmë proceset që janë duke u zhvilluar në pushtetin e drejtësisë,” u shpreh Balla.

Ai kritikoi gjithashtu kërkesën e opozitës si të paqartë dhe pa objekt konkret, duke e cilësuar si një “ekspeditë peshkimi” pa kufizim të saktë në kohë dhe në çështje specifike.

Nga ana tjetër, opozita argumentoi se kërkesa synonte të zbardhte mënyrën e realizimit të investimeve dhe të identifikonte përgjegjësitë për problematikat e konstatuara, por mazhoranca mbajti qëndrimin se një hetim i tillë do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve.

Debati për komisionet hetimore u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, në një kohë kur përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës për transparencën dhe kontrollin parlamentar mbeten të forta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu