
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një skemë të re për shpërndarjen e ndihmës ekonomike, e cila do të realizohet përmes një karte elektronike që do të përdoret vetëm për blerjen e ushqimeve bazë.
Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë 3 në Tiranë, Rama shpjegoi se kjo kartë do të garantojë që fondet publike të mos përdoren për qëllime të tjera, si alkooli apo lojërat e fatit, por të shkojnë drejtpërdrejt për nevojat bazë të familjeve në ndihmë ekonomike.
Sipas tij, kjo është vetëm faza e parë e projektit, i cili më pas do të zgjerohet edhe për kategori të tjera përfituesish, përfshirë punonjës të shtetit që shërbejnë jashtë vendbanimit.
Karta do të funksionojë në çdo pikë shitjeje me kasë fiskale dhe do të jetë pjesë e një sistemi më të gjerë digjital që synon uljen e informalitetit dhe rritjen e kontrollit mbi shpërndarjen e fondeve publike.
Në këtë kuadër, Rama bëri të ditur edhe projektin “AlbTrace”, një sistem për gjurmimin e produkteve dhe monitorimin e transaksioneve, i cili pritet të ndikojë drejtpërdrejt në luftën kundër ekonomisë informale.
Kreu i qeverisë theksoi se përmes teknologjisë dhe digjitalizimit synohet të rritet transparenca dhe efikasiteti në shpërndarjen e ndihmës sociale, duke shmangur abuzimet dhe duke garantuar që mbështetja të shkojë tek ata që kanë më shumë nevojë.






