
Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të gjerë vendimesh në mbledhjen e 30 marsit 2026, me fokus mbështetjen e sektorit të bujqësisë, nxitjen e investimeve dhe përshpejtimin e procedurave administrative.
Një nga vendimet kryesore lidhet me skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2026. Qeveria ka përcaktuar fondet dhe kriteret për subvencionimin e fermerëve, duke synuar rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove.
Pagesat direkte përfshijnë mbështetje për blegtorinë, ku fermerët mund të përfitojnë deri në 12 mijë lekë për krerë bagëti për tufat bazë të matrikulluara, si dhe subvencione për delet, dhitë dhe bletarinë. Për këtë të fundit, përfitimi arrin deri në 2 mijë lekë për zgjua.
Mbështetje parashikohet edhe për sektorin e bujqësisë, përmes subvencioneve deri në 10 mijë lekë për hektar për sipërfaqet e mbjella, ndërsa fermerët që investojnë në certifikimin e produkteve sipas standardeve ndërkombëtare mund të përfitojnë deri në 700 mijë lekë.
Një tjetër element i rëndësishëm është financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve në serra, ku shteti mbulon deri në 70% të kostove, si dhe mbështetja për fermat organike, që arrin deri në 200 mijë lekë për subjekt.
Në kuadër të investimeve, qeveria ka parashikuar fonde deri në 2.5 miliardë lekë për modernizimin e fermave, përfshirë blerjen e makinerive bujqësore, ndërtimin e staneve dhe zhvillimin e agroturizmit. Fermerët e rinj do të përfitojnë mbështetje deri në 70% të investimit, me një tavan prej 1 milion lekësh.
Vendimi parashikon gjithashtu masa për sektorin e peshkimit, ku mbështetja financiare mbulon deri në 50% të kostove për ripopullimin e ujërave të brendshme me rasate peshku.
Përveç bujqësisë, qeveria ka miratuar edhe ndryshime në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM), duke reduktuar ndjeshëm afatet për shqyrtimin e aplikimeve. Afatet për institucionet janë shkurtuar nga disa javë në pak ditë pune, ndërsa vendimmarrja për projektet do të kryhet më shpejt, brenda 10 deri në 20 ditëve.
Sipas vendimit, dokumentacioni i aplikimeve do të shqyrtohet brenda ditës, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të japin mendim brenda 2 deri në 4 ditëve pune, duke synuar eliminimin e burokracive dhe përshpejtimin e investimeve.
Vendimet e miratuara synojnë të forcojnë sektorin bujqësor, të mbështesin fermerët dhe të krijojnë një klimë më të favorshme për investime, duke lehtësuar procedurat dhe rritur efikasitetin institucional.





