
Një ekspozitë e hapur në sheshin e Prishtinës, e titulluar “Masakrat në Kosovë ’98-’99”, ka shkaktuar reagime të forta për shkak të pasaktësive të thella në të dhënat e paraqitura për disa nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë.
Ekspozita, e bazuar në librin e Shkëlzen Gashit dhe e realizuar nga organizatat Admovere dhe Integra, u përurua më 24 mars në kuadër të përkujtimit të nisjes së bombardimeve të NATO-s. Megjithatë, shumë nga shifrat dhe interpretimet e paraqitura janë vënë në dyshim nga të mbijetuar, historianë dhe institucione.
Një nga rastet më të diskutueshme lidhet me masakrën në Burgun e Dubravës, ku në tabelat e ekspozitës figuron një numër më i ulët i viktimave dhe një ndarje e tyre si “të armatosur” dhe “civilë”. Kjo është kundërshtuar ashpër nga i mbijetuari Enver Dugolli, i cili thekson se në atë masakër nuk ka pasur persona të armatosur dhe se të gjithë viktimat kanë qenë të pambrojtur.
Pasaktësi të tjera janë evidentuar edhe në paraqitjen e masakrës së Prekazit, ku sipas kritikëve është bërë një ndarje e diskutueshme mes viktimave, duke ulur numrin e civilëve të vrarë. Po ashtu, mospërputhje ka edhe në të dhënat për masakrën e Reçakut dhe atë të Krushës së Madhe, ku numri i viktimave rezulton më i ulët se ai i dokumentuar nga organizatat ndërkombëtare.
Profesori i historisë Durim Abdullahu e ka cilësuar këtë qasje si problematike, duke theksuar se interpretimet e tilla rrezikojnë të deformojnë narrativën historike të luftës.
Reagime të forta kanë ardhur edhe nga institucionet. Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për gabime teknike, por për shtrembërime që mund të relativizojnë krimet e luftës dhe të përforcojnë narrativa të rreme.
Nga ana tjetër, Kuvendi i Kosovës, që ka financuar ekspozitën, është distancuar nga përmbajtja e saj, duke theksuar se përgjegjësia mbetet te autorët dhe organizatorët.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka ndërhyrë duke vendosur largimin e menjëhershëm të tabelave nga sheshi. Kryetari Përparim Rama deklaroi se nuk do të lejohet që të cenohet kujtesa kolektive dhe dinjiteti i viktimave.
Vetë autori i librit, Shkëlzen Gashi, ka pranuar se nuk ekziston një listë e unifikuar institucionale për numrin e viktimave dhe ka pranuar se mund të ketë pasaktësi në të dhënat e përdorura.
Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në Kosovë mbi mënyrën se si trajtohet historia e luftës dhe përgjegjësinë për ruajtjen e së vërtetës historike.






