Në Vlorë është mbajtur këtë të shtunë përkujtimi i 29-vjetorit të Tragjedisë së Otrantos, një nga ngjarjet më të rënda në historinë e Shqipërisë, ku humbën jetën 81 persona.

Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, si dhe qytetarë të shumtë u mblodhën pranë bregdetit për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën në marsin e vitit 1997.

Me iniciativë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, deputetes së Vlorës Erjona Ismaili, 81 karrige u vendosën buzë detit për të simbolizuar jetët e ndërprera, ndërsa hedhja e luleve në det shërbeu si një homazh i heshtur për viktimat.

Gjatë ceremonisë përkujtimore morën pjesë edhe prefekti i Vlorës dhe kryetarja e bashkisë, ndërsa këngëtarja Xhesika Polo interpretoi një këngë vaji në nderim të viktimave.

E prekur nga simbolika e ceremonisë dhe dhimbja e familjarëve, ministrja Erjona Ismaili nuk i mbajti dot lotët, duke shpërthyer në emocione gjatë homazheve.

Ministrja Ismaili thotë se kjo është një ngjarje që qytetit i dhemb, por harresa dhemb më shumë se ngjarja, ndaj është tepër e rëndësishme që të përkujtohet çdo vit.

Sipas Ismailit, ajo që mund të bëhet sot është të garantohet që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.

Kjo është një ngjarje që qytetit të Vlorës i dhemb, por mendoj se vetë harresa dhemb më shumë. Mendoj se ajo që ne mund të bëjmë sot dhe që besoj se ia kemi dalë është që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.”

Familjarët e viktimave shprehën edhe një herë dhimbjen dhe zhgënjimin e tyre, duke theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur dhe se vendimet e drejtësisë italiane nuk pasqyrojnë plotësisht të vërtetën.

Tragjedia e Otrantos ndodhi më 28 mars 1997, kur një anije shqiptare me 115 persona në bord u përplas dhe u përmbys në kanalin e Otrantos gjatë një operacioni të forcave detare italiane.

Nga kjo ngjarje humbën jetën 81 persona, mes tyre edhe fëmijë nga 3 muajsh deri në 69 vjeç, të cilët po përpiqeshin të largoheshin nga vendi në një periudhë të vështirë trazirash.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu