
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Vjenë, ku si pasojë e shembjes së një skelë ndërtimi kanë humbur jetën katër persona, mes tyre tre shqiptarë nga Kosova.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Austri, aksidenti ndodhi në distriktin Alsergrund gjatë punimeve, kur një pjesë e skelës u shemb duke lënë të bllokuar punëtorët.
Autoritetet kanë konfirmuar identitetin e tre viktimave nga Kosova: Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj.
Në reagimin zyrtar, Ambasada e Kosovës shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e jetëve dhe u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim,” thuhet në njoftim.
Ambasada thekson gjithashtu se është e angazhuar për të ofruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes vijojnë.



