
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një protestë të re të opozitës më 22 mars, duke u bërë thirrje mbështetësve të mblidhen në orën 18:00 para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha publikoi një foto që njofton tubimin e radhës të opozitës, duke ftuar qytetarët të bashkohen në protestë kundër qeverisë.
Protesta vjen pas tubimit që opozita zhvilloi më herët para Kuvendit të Shqipërisë, në ditën kur shumica socialiste votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi i mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e SPAK-ut shkaktoi reagime të forta nga opozita, e cila e konsideroi votën si një përpjekje për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarët e lartë të qeverisë nga hetimet.
Partia Demokratike ka paralajmëruar se protesta e 22 marsit do të jetë pjesë e aksionit opozitar kundër qeverisë dhe vendimeve të saj në raport me drejtësinë.






