Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Bulqizë, ku një sherr mes disa personave është përshkallëzuar deri në përdorimin e mjeteve prerëse, duke lënë tre të plagosur.

Sipas informacionit paraprak nga policia, rreth orës 20:30, në qytetin e Bulqizës, pas një konflikti të çastit janë përfshirë në një përplasje fizike shtetasit Q. B., A. T. dhe D. H.. Ata janë shoqëruar menjëherë nga efektivët në Komisariatin e Policisë Bulqizë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, rreth orës 21:00, situata është përshkallëzuar sërish. Në ambientet e jashtme të një lokali janë mbledhur familjarët e personave të shoqëruar në komisariat dhe aty ka shpërthyer një tjetër konflikt mes dy grupeve.

Sipas policisë, shtetasit J. C. dhe Y. Sh. janë përplasur fizikisht me shtetasit R. D., A. K. dhe R. T.

Si pasojë e sherrit, tre persona kanë mbetur të plagosur, të dyshuar se janë goditur me mjete prerëse. Të dëmtuarit janë transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas janë dërguar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Policia ka nisur kontrolle në zonë dhe po punon për kapjen e dy autorëve të dyshuar, shtetasve J. C. dhe Y. Sh., të cilët janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu