Milani ka fituar derbin e madh të Milanos duke mposhtur Interin me rezultatin minimal 1-0 në “San Siro”, në javën e 28-të të Serie A. Suksesi i kuqezinjve ngushton diferencën me kryesuesit e kampionatit.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Giuseppe Meazza” u vendos nga një gol i vetëm i shënuar nga Estupiñán në minutën e 35-të. Aksioni erdhi pas një kundërsulmi të shpejtë të Milanit, me sulmuesin që finalizoi saktë nga një pozicion i vështirë duke dërguar topin poshtë traversës.

Inter pati disa mundësi për të barazuar, veçanërisht në fundin e pjesës së parë kur Mkhitaryan u gjend dy herë përballë portierit Maignan, por portieri i Milanit reagoi duke shpëtuar portën e tij.

Në pjesën e dytë zikaltërit shtuan presionin dhe tentuan disa herë me Zielinski, Dimarco dhe Dumfries, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.

Në minutat e fundit Inter arriti edhe të dërgojë topin në rrjetë pas një goditjeje nga këndi, por goli u anulua pasi arbitri nuk kishte dhënë sinjalin për ekzekutimin e goditjes.

Me këtë fitore Milani redukton diferencën në renditje dhe shkon në -7 pikë nga kryesuesi i Serie A, duke mbajtur të hapur garën për titull.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu