Paolo Maldini arriva alla chiesa di Sant'Ambrogio per partecipare al funerale di Franco Baresi. Milano 4 Agosto ANSA / MATTEO BAZZI

 

Paolo Maldini ka zbuluar prapaskenat që çuan në largimin e tij nga posti i drejtorit teknik i Kombëtares italiane, duke treguar se Pep Guardiola ishte shumë pranë pranimit të detyrës së trajnerit të Italisë.

Ish-kapiteni legjendar i Milanit tregoi se projekti kishte nisur pas një propozimi të Giovanni Malagò, me synimin jo vetëm për të ringritur Kombëtaren, por edhe për të reformuar strukturën e futbollit italian. Maldini dhe Leonardo do të kishin një rol të rëndësishëm në projekt, përfshirë zgjedhjen e trajnerit.

Sipas Maldinit, kandidatura e parë e madhe ishte ajo e Pep Guardiolës. Përmes disa miqve, trajneri spanjoll kishte sinjalizuar interesin për të drejtuar një kombëtare.

Maldini dhe drejtuesit italianë udhëtuan në Barcelonë, ku zhvilluan një takim të gjatë me Guardiolën.

“Ishte shumë i tunduar. Ishte shumë pranë pranimit. Madje kishte filluar të shkruante formacionet nëpër fletë”, tregoi Maldini.

Sipas tij, aspekti financiar nuk përbënte problem. Guardiola, i lodhur pas viteve intensive në Premier League dhe pas problemeve shëndetësore në shpinë, kërkonte një ritëm tjetër pune. Maldini thotë se trajneri kishte shprehur gatishmërinë të paguhej edhe një euro më pak se paraardhësi i tij.

Pas dështimit të pistës Guardiola, Maldini dhe Leonardo propozuan Andrea Pirlon. Pikërisht këtu, sipas ish-kapitenit të Milanit, nisën përplasjet me Malagò.

Maldini pretendon se marrëveshja fillestare parashikonte që ai dhe bashkëpunëtorët e tij të zgjidhnin trajnerin, ndërsa Malagò ta miratonte. Por më pas, sipas tij, rregullat ndryshuan dhe Malagò kërkoi që vendimin për trajnerin ta merrte vetë.

Çështja e lidhjeve të Pirlos me një kompani ruse bastesh shkaktoi gjithashtu polemika. Maldini këmbëngul se juridikisht nuk kishte pengesë që Pirlo të merrte drejtimin e Italisë dhe se ish-mesfushori ishte i gatshëm të ndërpriste marrëdhëniet me kompaninë.

Ndryshimi i kompetencave për zgjedhjen e trajnerit u konsiderua i papranueshëm nga Maldini dhe Leonardo, të cilët dhanë dorëheqjen vetëm 16 ditë pas nisjes së projektit.

Italia më pas zyrtarizoi rikthimin e Roberto Mancinit në pankinë. Për trajnerin që e udhëhoqi Italinë drejt titullit kampion Europe, kjo do të jetë eksperienca e dytë në krye të Kombëtares.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu