
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar krijimin e një prokurorie të re të specializuar për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, një institucion që sipas tij do të forcojë luftën kundër korrupsionit në vend.
Premtimi u bë në ditën kur Kurti u zgjodh sërish në krye të qeverisë, duke theksuar se në kuadër të reformave në drejtësi do të krijohet një strukturë e re hetimore.
“Do të themelohet prokuroria e re e specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore”, deklaroi Kurti.
Aktualisht në Prokurorinë Speciale të Kosovës punojnë katër prokurorë në departamentin për hetimin e krimit të organizuar dhe 11 në departamentin për korrupsionin dhe krimin financiar.
Megjithatë, njohësit e drejtësisë shprehin rezerva për krijimin e një institucioni të ri. Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, thotë se më e nevojshme është forcimi i Prokurorisë Speciale ekzistuese.
Sipas tij, rezultatet e kësaj prokurorie nuk kanë qenë aq të prekshme sa pritej dhe reforma duhet të fokusohet në përmirësimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të saj.
Hasani paralajmëron gjithashtu se krijimi i institucioneve të reja mund të rrezikojë që ato të përdoren për punësime partiake nëse nuk respektohen standardet profesionale.
Ndërkohë, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësojnë se një prokurori e specializuar mund të jetë e nevojshme, por ajo duhet të krijohet jashtë sistemit aktual prokurorial dhe për këtë do të nevojiteshin ndryshime kushtetuese.
Aktualisht, përveç shtatë prokurorive themelore që veprojnë në Kosovë, funksionon edhe Prokuroria Speciale, e cila ka mandat për hetimin e krimeve të luftës, krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe krimit financiar.



