
Vendimi i Këshillit të Ministrave mbi tarifën e riprodhimit privat bie ndesh me objektivat e dixhitalizimit, dëmton biznesin formal dhe nuk i jep zgjidhje asnjë problemi real
Në korrik 2023, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin Nr. 465, i cili detyron importuesit e pajisjeve elektronike të paguajnë një tarifë “shpërblimi për riprodhim privat” mbi çdo pajisje të importuar, nga smartphones dhe laptopët, te televizorët, printerët, skanerët dhe hard disqet. Madje as letra për print nuk i shpëtonte kësaj VKM-je. Vendimi u miratua pa debat parlamentar të mjaftueshëm dhe pa studim të publikuar të ndikimit ekonomik. Pasojat janë të matshme dhe të drejtuara në drejtimin e gabuar.
Barra bie mbi ata që duhet mbrojtur: Tarifa rrit çmimin e produkteve bazike të teknologjisë, produkte të nevojshme sot jo si luks, por si mjet pune, arsimimi dhe komunikimi. Barra financiare bie drejtpërdrejt mbi konsumatorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke ngushtuar aksesin e tyre ndaj teknologjisë bashkëkohore. Printerët, skanerët dhe kompjuterët, pajisje thelbësore për çdo biznes të vogël, bëhen më të shtrenjtë, duke rritur kostot operative të atyre që tashmë operojnë me marzhe të ngushta.
Ndërkohë, importuesit dhe tregtarët vendas që paguajnë TVSH, dogana dhe kontribute, gjenden në pozicion konkurrencial të pafavorshëm ndaj tregut informal dhe blerjeve online ndërkombëtare, të cilat shpeshherë i shmangen plotësisht këtyre detyrimeve. Ligji nuk i barazon kushtet e lojës por i shtrembëron.
Shqipëria e vetmuar në rajon: Asnjë nga vendet fqinje dhe partnere tregtare, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina, nuk zbaton sistem të ngjashëm tarife në këtë formë dhe shkallë. Rezultati është një diferencë direkte çmimi midis tregut formal shqiptar dhe atij të vendeve fqinje: mallrat e njëjta hyjnë pa këtë barrë shtesë atje, ndërsa në Shqipëri mbartin tarifë shtesë. Kjo nxit blerjen jashtë vendit dhe importin informal, duke dëmtuar drejtpërdrejt sektorin e tregtisë formale.
Hartuesit e VKM kanë argumentuar se ky është harmonizim me praktikën europiane. Por ky argument nuk qëndron. Edhe brenda BE-së, sistemi i tarifave të riprodhimit privat aplikohet me kufizime dhe mekanizma kompensimi shumë më të moderuara dhe kryesisht në ekonomi me nivel zhvillimi shumë më të lartë.
Sinjal i gabuar për ekonominë: Teknologjia është infrastrukturë jo luks. Digjitalizimi i ekonomisë shqiptare dhe ambiciet e integrimit europian kërkojnë akses të gjerë, të lirë dhe të barabartë ndaj pajisjeve teknologjike. Tatimimi i tepruar i këtyre pajisjeve vepron drejtpërdrejt kundër këtyre objektivave. VKM 465/2023 dëmton klimën e biznesit dhe dërgon sinjal negativ ndaj investitorëve të huaj në sektorin e teknologjisë, sinjal që një ekonomi në zhvillim si Shqipëria nuk mund të përballojë.
Rishikimi i këtij vendimi nuk është kërkesë korporatave, është domosdoshmëri e politikës së shëndoshë ekonomike.



