
Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), Maryam Rajavi, ka shpallur nga kampi “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit formimin e një Qeverie të Përkohshme për Iranin, pas raportimeve për vdekjen e liderit suprem Ali Khamenei.
Në deklaratën e saj, Rajavi e cilësoi vdekjen e Khameneit si “fundin e tiranisë fetare” dhe momentin për transferimin e sovranitetit tek populli iranian. Ajo theksoi se periudha tranzitore synon krijimin e një republike demokratike, të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti dhe në zgjedhje të lira brenda gjashtë muajve nga krijimi i qeverisë së përkohshme.
“Vetëm populli i Iranit ka legjitimitetin për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit të tij”, u shpreh Rajavi, duke bërë thirrje për unitet mes forcave opozitare dhe për dorëzimin e armëve nga strukturat që mbështesin regjimin.
Sipas saj, Këshilli Kombëtar i Rezistencës nuk synon pushtetin, por kalimin e tij tek sovraniteti popullor përmes një procesi kushtetues dhe zgjedhjesh të ndershme.
Kampi “Ashraf 3” në Manzë strehon prej vitesh anëtarë të organizatës opozitare iraniane, të zhvendosur nga Lindja e Mesme në Shqipëri.
Zhvillimi vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, mes përshkallëzimit të konfliktit dhe pasigurive për të ardhmen politike të Iranit.






