
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në orët e para të mëngjesit kanë nisur reshjet e dëborës në zonat veriore mbi 800 metra lartësi, si edhe në juglindje të vendit.
Sipas ARRSH-së, dëborë është regjistruar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit–Vermosh dhe Bogë–Theth. Reshje janë raportuar gjithashtu në segmentet Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Voskopojë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Tre Urat.
Autoritetet bëjnë të ditur se, me përjashtim të zonës së Qafë Thorës, e cila vijon të jetë e bllokuar për shkak të rënies së vazhdueshme të ortekëve, të gjitha akset e tjera janë të hapura dhe qarkullimi paraqitet normal.
Kontraktorët ndodhen në terren me mjete borëpastruese dhe po punojnë për pastrimin e rrugëve si dhe për shpërndarjen e kripës, me qëllim parandalimin e ngricave.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të pajisen me goma dimërore dhe të përdorin zinxhirë kur udhëtojnë në akset me prezencë dëbore.



