
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Kosovo, duke e cilësuar atë si “një akt hipokrizie” dhe duke e akuzuar për qëndrime armiqësore ndaj shtetit kosovar.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Rama ka dëmtuar sovranitetin dhe udhëheqjen e Kosovës përmes veprimeve dhe qëndrimeve të tij, si në tryeza private ashtu edhe në skenën publike.
Sipas tij, mbështetja e shprehur nga Rama për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk i ndihmon ata, por krijon një klimë të pafavorshme.
Berisha pretendoi gjithashtu se kryeministri shqiptar ka ushtruar presion ndaj udhëheqjes së atëhershme kosovare për miratimin e ligjit që çoi në krijimin e kësaj gjykate, të cilën ai e konsideron me standarde të papranueshme në raport me të drejtën ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, lideri demokrat e krahasoi Ramën me Enver Hoxhen, duke e cilësuar si “armik të egër” të Kosovës nga viti 2013 e në vijim.
Në përfundim, Berisha kërkoi që gjykatësit në Hagë të vendosin mbi bazën e ligjit dhe të shpallin pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të Kosovës, për të cilët tha se kanë dhënë kontribute të rëndësishme në mbrojtjen e jetëve të qytetarëve gjatë luftës.



