
Zëdhënësi i Policisë së Tiranës, Gent Mullai, deklaroi se gjatë protestës së opozitës janë përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve, duke shtuar se si pasojë e sulmit mbetën të plagosur 16 punonjës policie.
I pyetur për procedimin penal ndaj deputetit Belind Këlliçi, edhe pse ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëdhënësi theksoi se ai nuk është hetuar për dhunë ndaj policisë, por për organizim të tubimit.
“Nuk është lapsus. Zoti Këlliçi nuk është proceduar për kundërshtim të punonjësve të policisë, por për organizim të tubimit. Policia ka pasur informacionin e nevojshëm dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës”, tha ai.
Sipas Policisë, aktet e dhunës nisën pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, ndërsa forcat e rendit fillimisht u treguan të përmbajtura dhe bënë thirrje për distancim nga dhuna. Gazi lotsjellës u përdor pranë Kuvendit pasi, sipas autoriteteve, sulmi ndaj efektivëve ishte me intensitet të lartë.






