
Arabia Saudite ka ndërmarrë një iniciativë të veçantë duke nisur pajisjen e deveve me pasaporta zyrtare, një projekt që synon të krijojë një bazë të dhënash të detajuar dhe të përmirësojë menaxhimin e këtij sektori tradicional. Ministria e Mjedisit, Ujit dhe Bujqësisë bëri të ditur se dokumenti – një pasaportë jeshile me emblemën shtetërore dhe imazhin e një deveje të artë – do të ndihmojë në rritjen e produktivitetit, gjurmueshmërisë dhe efikasitetit të tufave.
Sipas mediave ndërkombëtare, pasaportat do të lehtësojnë transportin dhe tregtinë e deveve, do të organizojnë më mirë proceset e shitjes dhe do të mbrojnë të drejtat e pronarëve përmes verifikimit të qartë të pronësisë. Nisma vjen në një kohë kur vendi numëron rreth 2.2 milionë deve, të cilat përveç përdorimit tradicional, konsiderohen simbol statusi dhe marrin pjesë edhe në konkurse bukurie ku investohen shuma të mëdha.
Ekspertët vlerësojnë se projekti pritet të modernizojë një nga sektorët më të rëndësishëm kulturorë dhe ekonomikë të Arabisë Saudite, duke sjellë më shumë transparencë dhe organizim në menaxhimin e tufave.






