
Zjarfikësit italianë kanë realizuar deri më tani rreth 300 ndërhyrje për rikuperimin e sendeve personale dhe kafshëve nga banesat e evakuuara në zonën e kuqe të Niscemit në Sicili, pas shembjes masive të shkëmbinjve që ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence.
Operacionet po kryhen nga një ekip prej 24 zjarrfikësish, të cilët shoqërojnë banorët e zhvendosur, vetëm pasi këta të fundit marrin autorizim nga policia bashkiake. Mesatarisht realizohen 70 deri në 80 ndërhyrje në ditë, ndërsa hyrja në banesa bëhet për kohë sa më të shkurtër për arsye sigurie.
Sipas autoriteteve, në shtëpitë që ndodhen në një distancë 50–70 metra nga fronti i rrëshqitjes nuk lejohet asnjë lëvizje për shkak të rrezikut ekstrem.
“Është shumë e rrezikshme, edhe për operatorët tanë”, shprehet Francesco Turco, funksionar teknik i zjarrfikësve të Caltanissetta-s. “Njerëzit kërkojnë të marrin gjërat më të çmuara që kanë. Janë momente shumë të forta emocionalisht edhe për ne”, thotë ai.
Gjatë ndërhyrjeve janë shpëtuar kafshë shtëpiake si qen, mace dhe papagaj, por edhe objekte me vlerë të madhe sentimentale për banorët, si rroba, piktura dhe fotografi familjare. Një nga rastet më prekëse, sipas zjarrfikësve, ishte shoqërimi i një gruaje që mori nga banesa e saj një sobë, për të ngrohur familjen në strehimin e përkohshëm.
“Kur ia dorëzuam sobën, ajo shpërtheu në lot dhe më përqafoi”, rrëfen Turco.
Aktualisht, zjarrfikësit po përgatisin edhe një procedurë të posaçme për transferimin e sigurt të disa kuajve që ndodhen në një fermë bujqësore, e vendosur në një zonë me çarje gjeologjike dhe rrezik të shtuar.
Situata në Niscemi vijon të monitorohet nga autoritetet italiane, ndërsa prioritet mbetet siguria e banorëve dhe menaxhimi i pasojave të franes që ka prekur qindra familje






