
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje rëndësinë e transformimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), duke e cilësuar këtë proces si një investim thelbësor për ruajtjen e kujtesës historike dhe identitetit kulturor të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se kujdesi për trashëgiminë filmike përbën një mision kombëtar, duke shkruar:
“Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton”.
Procesi i transformimit të AQSHF përfshin modernizimin e infrastrukturës dhe godinës, si dhe përmirësimin e kushteve për ruajtjen dhe digjitalizimin e fondit filmik shqiptar.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit mbart një pasuri të çmuar të kinematografisë shqiptare, duke përfshirë filma artistikë, dokumentarë dhe kronika, që pasqyrojnë dekada të jetës shoqërore, kulturore dhe politike të Shqipërisë.






