
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me kryebashkiakët e vendit, ku në fokus ishin sfidat e bashkive për vitin 2026, sezoni turistik dhe ajo që ai e cilësoi si “betejë politike dhe shoqërore” kundër mbetjeve plastike.
Duke u ndalur te emergjenca e përmbytjeve që përfshiu disa zona të vendit gjatë ditëve të fundit, Rama tha se përveç reshjeve intensive dhe rritjes së nivelit të ujërave, një faktor kyç kanë qenë mbetjet dhe problematikat e infrastrukturës mbrojtëse, përfshirë kanalet kulluese dhe argjinaturat.
Kryeministri kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga pushteti vendor, si për ndërgjegjësimin e qytetarëve për hedhjen e mbetjeve, ashtu edhe për mirëmbajtjen e infrastrukturës, duke theksuar se Ministria e Pushtetit Vendor do të çojë përpara projektin për blerjen e mjeteve të posaçme për pastrimin e kanaleve kulluese.
“Kur gjendemi përballë kësaj situate agresioni të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikim i njeriut, duhet të angazhohemi në një ofensivë të përbashkët. Duhet të përfshijmë komunitetet për ta vënë nën kontroll këtë faktor të rrezikshëm dhe të dëmshëm”, u shpreh Rama.
Ai paralajmëroi për dëme të pariparueshme për ekosistemin detar dhe cilësinë e ushqimit, duke theksuar se plastika që përfundon në det është një kërcënim serioz për mjedisin dhe ekonominë turistike.
“Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri të papërgjegjshmërisë qytetare. Kjo është punë shqiptare, krim shqiptar. Nuk mund t’ia faturojmë turistëve të huaj”, deklaroi kryeministri.
Rama bëri të ditur se i ka kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor ngritjen e një task-force, e cila do të hartojë një plan me tre faza për adresimin e situatës, duke kombinuar ndërhyrjen në terren, forcimin e infrastrukturës mbrojtëse dhe bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore.
Sipas tij, analiza e emergjencës së fundit ka treguar se rezistenca e infrastrukturës mbrojtëse është e dobët në disa pika, çka kërkon investime dhe ndërhyrje të shpejta.
Në këtë kuadër, Rama mbështeti edhe propozimin për blerjen e një sasie domethënëse mjetesh që do të vendosen në funksion të kullimit dhe pastrimit të kanaleve kryesore, me synim parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.






