
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mohuar kategorikisht akuzat e Rusisë se Kievi ka ndërmarrë një sulm me dronë ndaj një prej rezidencave shtetërore të presidentit rus Vladimir Putin.
Akuzat u bënë publike nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili pretendoi se gjatë natës Ukraina kishte lëshuar 91 mjete ajrore pa pilot (UAV) me rreze të gjatë veprimi drejt rezidencës së Putinit në rajonin e Novgorodit, në veriperëndim të Rusisë.
Sipas Lavrovit, të gjithë dronët janë interceptuar dhe shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore ruse, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale. Ai paralajmëroi se, për shkak të asaj që e quajti “degjenerim përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit”, Rusia do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes, megjithëse theksoi se Moska nuk ka ndërmend të largohet nga procesi negociator me Shtetet e Bashkuara.
Nga ana e tij, Zelensky i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur “gënjeshtra tipike ruse”, të destinuara për t’i dhënë Kremlinit justifikim për vazhdimin e sulmeve ndaj Ukrainës. Ai kujtoi se Rusia ka shënjestruar më parë edhe ndërtesa qeveritare në Kiev.
“Është kritike që bota të mos qëndrojë e heshtur. Nuk mund të lejojmë Rusinë të minojë përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme,” shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Këto zhvillime vijnë pas bisedimeve të zhvilluara në Florida mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Zelenskyt, ku u diskutua një plan i rishikuar paqeje për përfundimin e luftës. Zelensky deklaroi se SHBA i ka ofruar Ukrainës garanci sigurie për 15 vite, ndërsa Trump u shpreh se marrëveshja për këtë pikë është “95% e përfunduar”.
Sipas liderit ukrainas, çështjet territoriale, përfshirë centralin bërthamor të Zaporizhjias dhe rajonin e Donbasit të pushtuar nga Rusia, mbeten ende të pazgjidhura, ndërsa Moska ka refuzuar disa elementë kyç të planit.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi gjithashtu se Trump ka zhvilluar një telefonatë “pozitive” me Putinin, pas bisedimeve SHBA–Ukrainë. Këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, pretendoi se Putin i kishte thënë Trumpit se sulmi i supozuar ndaj rezidencës së tij kishte ndodhur menjëherë pas raundit të bisedimeve, duke paralajmëruar një “përgjigje më të fortë”.







