
Një nga tendencat më të reja të fitnesit në rrjetet sociale quhet “Japanese Walking”, një metodë e thjeshtë ecjeje me intervale që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet për përfitimet e saj shëndetësore. Programi zgjat rreth 30 minuta dhe konsiston në alternimin e tre minutave ecje me ritëm të shpejtë me tre minuta ecje të ngadaltë.
Sipas specialistëve, kjo formë ecjeje ndihmon në përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe në parandalimin e sëmundjeve kronike të lidhura me stilin e jetesës, si diabeti dhe obeziteti. Avantazhi kryesor i “Japanese Walking” është se nuk kërkon palestër apo pajisje speciale – mjafton të dalësh nga shtëpia dhe të ecësh.
Metoda është zhvilluar nga studiues japonezë, me fokus të veçantë tek të rriturit e moshës së mesme dhe të moshuarit. Mjeku i sportit Irvin Sulapas ka theksuar se për të përfituar nga aktiviteti fizik nuk janë të domosdoshme stërvitjet me intensitet të lartë, të cilat shpesh lodhin organizmin.
Ekspertët vlerësojnë se kjo mënyrë e thjeshtë ecjeje mund të jetë një alternativë efektive për ata që kërkojnë të përmirësojnë shëndetin pa ushtrime të rënda fizike.







