Me afrimin e vitit 2026, skena letrare ndërkombëtare pritet të pasurohet me romane, trillerë, fantazi dhe kujtime nga autorë të njohur dhe zëra të rinj. Në një përzgjedhje të bërë nga BBC, gazetarja e kulturës Emma Saunders rendit titujt që parashikohen të jenë më të lexuarit e vitit të ardhshëm, duke ofruar një panoramë të larmishme tematike dhe stilistike .

Ndër botimet më të pritura është Heartstopper Volume 6, pjesa përmbyllëse e serisë së famshme grafike nga Alice Oseman, e cila vijon historinë e Nick dhe Charlie dhe sfidat e marrëdhënies së tyre ndërsa përballen me largësinë dhe rritjen personale.

Po aq interes zgjon edhe Land, romani i ri i Maggie O’Farrell, i vendosur në Irlandën e vitit 1865, që trajton humbjen, mbijetesën dhe migrimin pas urisë së madhe.

Në letërsinë historike dhe aventurë spikat The Last of Earth, një rrëfim epik i vendosur në Tibet, ndërsa trilleri bashkëkohor përfaqësohet nga Fruit Fly, që përplas dy botë të kundërta në një histori të errët dhe ironike.

Nga Japonia vjen Hooked, një triller psikologjik ku ushqimi, vetmia dhe obsesioni ndërthuren në mënyrë shqetësuese.

Lista përfshin gjithashtu romane debutuese, fantazi romantike dhe kujtime personale, mes tyre edhe Mr Sidhu’s Post Office, një dramë familjare e vendosur në Londër, që prek çështje komunitare dhe padrejtësi institucionale.

Përzgjedhja e plotë sinjalizon një vit të pasur për lexuesit, me tema që shkojnë nga dashuria dhe identiteti, te politika, teknologjia dhe historia.

Sipas vlerësimeve të bëra nga kritikët dhe redaksia e BBC Culture, këta tituj pritet të dominojnë bisedat letrare gjatë vitit 2026 dhe të tërheqin vëmendjen e publikut në mbarë botën .

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu