
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar lejimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e këshillit që lidhen me konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të vitit 2026.
Sipas kërkesës, pjesëmarrja e kryebashkiakut në procesin e konsultimit të buxhetit është një detyrim ligjor, i përcaktuar qartë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e Veliajt është e domosdoshme për të garantuar bashkëpunimin institucional dhe për të trajtuar çështje me interes të drejtpërdrejtë publik për qytetarët e Tiranës.
Në dokumentin zyrtar, Këshilli Bashkiak i referohet Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, ku:
Neni 58, pika 4, garanton të drejtën e Kryetarit të Bashkisë për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe për të raportuar;
Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm mes Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështje me interes publik.
Gjithashtu, në kërkesë citohet edhe Ligji nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41 parashikon se kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore është përgjegjës për përgatitjen dhe paraqitjen e projektbuxhetit vjetor për miratim në Këshillin Bashkiak.
Në këtë kuadër, Këshilli Bashkiak kërkon që, nëse ndaj kryebashkiakut janë në zbatim masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm i pjesëmarrjes fizike në një nga datat 16–18 dhjetor 2025, për të garantuar një proces ligjor, transparent dhe funksional.
Këshilli shprehet gjithashtu i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me institucionet përgjegjëse për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike, dhe kërkon njoftim zyrtar mbi vendimmarrjen, duke theksuar rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale.






