Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Shkodrës, ku dy persona ende të paidentifikuar vendosën eksploziv në derën e një biznesi dhe u larguan menjëherë nga vendngjarja me motoçikletë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20, në lagjen “Skënderbeg”, në hyrje të një subjekti privat që ushtron aktivitet në fushën e reklamave. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Autorët të filmuar nga kamerat e sigurisë

Nga këqyrja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonë, policia ka konstatuar se kanë qenë dy persona me motoçikletë, ku njëri prej tyre ka zbritur, ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Biznesi është në pronësi të shtetasit Lulzim Mehmetaj, i cili është marrë në pyetje nga grupi hetimor.

Pronari: Nuk kam pasur konflikte

Në dëshminë e tij, pronari i biznesit ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me asnjë person dhe se gjatë gjithë kohës që ushtron aktivitetin nuk ka qenë i përfshirë në probleme apo mosmarrëveshje.

Pistë kryesore e hetimit: konkurrenca

Burime nga policia bëjnë me dije se, në mungesë të konflikteve personale, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e konkurrencës, ndërsa po analizohen të gjitha rrethanat dhe lëvizjet përpara dhe pas shpërthimit.

Policia e Shkodrës vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motivit të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu