Tiranë, 10 dhjetor 2025 – Një grup i strukturuar kriminal i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike është goditur mëngjesin e sotëm nga autoritetet, ndërsa raportohet për disa persona të arrestuar.

Sipas burimeve zyrtare, mes të ndaluarve ndodhet edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Operacioni është zhvilluar në disa zona njëkohësisht dhe është ende në vijim.

Personat e arrestuar

Burime konfidenciale bëjnë me dije se në pranga kanë rënë:

  • Marvin Genci Bushati (i lindur më 26.04.1982), lindur në Shkodër, banues në Tiranë
  • Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani (05.08.1974), lindur dhe banues në Durrës
  • Sokol Myslym Qaja (22.02.1984), lindur dhe banues në Tiranë
  • Gazmir Xhemali Rraja (02.02.1990), lindur dhe banues në Nikel, Fushë-Krujë
  • Përparim Kadri Rraja (02.07.1975), lindur dhe banues në Fushë-Krujë, Nikel
  • Rexhep Rraja (19.04.1994), lindur dhe banues në Fushë-Krujë, Nikel

Të arrestuarit akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, vepra penale të parashikuara nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Kush është Rexhep Rraja

Emri i Rexhep Rrajës është i njohur për opinionin publik për përfshirjen e tij në ngjarje të mëparshme të rënda. Ai është filmuar në vitin 2023 duke ushtruar dhunë me shkop bejsbolli ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja, në një episod që tronditi opinionin publik.

Gjithashtu, ai është përmendur edhe në çështjen e dhunës ndaj ish-partneres së tij, Xhisiela Maloku, rast i bërë publik nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu, i cili akuzoi struktura të rendit për neglizhencë dhe presione.

Rexhep Rraja ishte arrestuar në shtator të vitit 2018, por u lirua disa muaj më vonë me masë sigurie më të lehtë.

Dhuna në Borizanë dhe dorëheqja e ish-deputetit

Fisi Rraja është përfshirë edhe në dhunën ndaj kushërinjve Maja në Borizanë, pas konfliktit për dëmet e shkaktuara nga një gurore në pronësi të familjes. Pas publikimit të pamjeve filmike, Rrahman Rraja u tërhoq nga mandati i deputetit.

Hetimet për këto ngjarje vijojnë, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Prokuroria për detaje të mëtejshme mbi operacionin e sotëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu