Forcat speciale kanë shoqëruar mbrëmjen e sotme, 9 dhjetor 2025, një person të dyshuar për lidhje me atentatin e 11 nëntorit në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani.

Personi me inicialet B.Xh. është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje, pa iu komunikuar masë ndalimi, ndërsa dëshmia e tij pritet të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë, raporton për Klan News, gazetari Besar Bajraktaraj.

Atentati ndodhi në një nga pikat më të sigurta pranë aeroportit të Rinasit, pikërisht në rrethrrotullim, në momentin kur aty nuk ndodhej asnjë patrullë policie. Gilmando Dani kishte zbarkuar pak minuta më herët nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar për katër ditë, dhe autoritetet spanjolle ende po verifikojnë lëvizjet dhe kontaktet e tij gjatë udhëtimit.

Sipas hetimeve paraprake, autorët qëlluan me saktësi profesionale dhe u larguan vetëm pasi u siguruan se shënjestra e tyre ishte eliminuar, ndërsa Shaljani, i plagosur rëndë, ndërroi jetë pak më vonë në spital.

Efektivi Muçi Shaljani ishte pjesë e Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së prej pak javësh, ndërsa pranimi i tij në këtë strukturë, pa certifikatën e nevojshme të sigurisë, u kthye në objekt hetimi, duke çuar në pranga dy punonjës policie të Komisariatit nr.3, që kishin hartuar dokumentet, pa përfshirë të gjitha të dhënat.

Por, Gjykata e Tiranës, në seancën e 15 nëntorit, i cilësoi arrestimet e tyre të pabazuara në ligj dhe nuk vendosi asnjë masë sigurimi, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes nga vendi”.

Vetëm tre ditë pas ngjarjes, policia zbuloi në Fushë-Krujë një sasi të madhe armësh dhe shpalli në kërkim pronarin e banesës, Y.Z,, i dyshuar si bashkëpunëtor i grupit që kreu atentatin.

Sipas të dhënave të para, automjeti “Toyota” që u përdor në vrasje dhe më pas u dogj në fshatin Halil, dyshohet se ka dalë nga banesa e Y.Z.. Autoritetet ende nuk kanë identifikuar persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, ndërsa hetimet po vijojnë me intensitet të lartë për të zbuluar urdhëruesit dhe ekzekutorët e atentatit.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu