Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin nga qelia të Banush Koxhajt, punonjës i sigurisë në Gjykatën e Apelit Tiranë, i cili u arrestua menjëherë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Koxhaj akuzohej për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, me argumentin se nuk kishte ushtruar kontroll fizik ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët hynë të armatosur në ambientet e gjykatës.

Sipas hetimeve, detektori i skanerit kishte dhënë sinjal të kuq për praninë e sendeve metalike, por pavarësisht këtij fakti, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, nuk ka kryer kontroll fizik ndaj dy personave dhe ka vijuar të qëndrojë i ulur në karrige, duke lejuar kalimin e tyre në perimetrin e sigurisë.

Autori i ngjarjes, Elvis Shkambi, ka kaluar kontrollin e sigurisë dhe ka hyrë i armatosur në sallën e gjyqit. Sapo gjyqtari Astrit Kalaja ka shpallur vendimin, Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt tij me disa plumba, duke e lënë të vdekur në vend.

Ngjarja tronditëse ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e masave të sigurisë në gjykata, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu