
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar deklarata të ashpra ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës, duke akuzuar institucionet se po zbatojnë “masat më lehtësuese të mundshme” ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, në hetimin për aferën e tunelit të Llogarasë.
“Çështja Rama–Balluku është unike në Europë”
Berisha deklaroi se rasti i Ballukut dhe Ramës nuk ka precedent në vendet e tjera europiane, duke theksuar se hetimet po trajtohen me tolerancë të pajustifikueshme.
“Prokuroria dhe gjykata kanë përdorur masat më lehtësuese ndaj Lubi Ballukut dhe Edi Ramës,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, tashmë është e provuar se çdo vendimmarrje e Ballukut për tunelin e Llogarasë ka qenë “e diktuar” nga kryeministri Rama.
“Rama po pengon hetimin, po prish provat”
Berisha akuzoi prokurorinë se jo vetëm nuk ka ngritur akuza ndaj Ramës, por po e lejon atë të ndërhyjë në proces, të pengojë hetimet dhe “të mbrojë vetveten nën petkun e mbrojtjes së Ballukut”.
“Edi Rama po bën gjithçka për të prishur provat dhe për të mbrojtur Ballukun, në fakt për të mbrojtur veten.”
“Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal”
Në vijim, kreu i PD-së theksoi se aktakuza e prokurorisë tregon qartazi ekzistencën e një bashkëpunimi kriminal mes disa zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve të përfshirë në proceset e prokurimit.
“Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. Keqbërës të poshtër që kanë vjedhur qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve.”
Sipas tij, ky grup përfshin Ballukun, disa drejtorë dhe punonjës të prokurimeve, të cilët kanë vepruar në mënyrë të koordinuar dhe me qëllime kriminale.
Berisha kritikoi faktin që Prokuroria ende nuk i ka cilësuar si të tillë:
“Prokuroria heziton t’i quajë ata siç janë – një organizatë kriminale që ka shkaktuar dëme kolosale për qytetarët shqiptarë.”
Pjesë nga reagimi i tij
Së pari, dua të garantoj çdo shqiptar dhe unë do të dal para jush të ua faktoj se Gjykata speciale dhe prokuroria në vlerësimet e tyre nuk kanë shkelur asnjë ligj, me kërkesën që kanë bërë për pezullimin nga detyra.
Po, ato kanë shkelur me dy këmbët ligjin, në moskualifikimin e veprës ‘grup i strukturuar kriminal’ dhe ndryshimin e urdhër-arrestimit për Lubi Ballukun, që po vazhdon të prishë prova në bashkëpunim me aparatin e Këshillit të Ministrave, ditë e natë, sipas burimeve anonime.
Kjo është e vërteta.
Ata që marrin në mbrojtje, ata që pretendojnë se, po ndërhyhet në pushtetet e njëri-tjetrit, ata janë të paritur. Lubia e bëri një gjë të re. A e kishit dëgjuar ndonjëherë fjalën paritur? Kurrë. Parite i thotë atij biznesmenit. Parite, urdhëri i saj. Dmth laje në flori, laje me para. Parite atë.
E futi një term në gjuhën shqipe që nuk ishte më parë. Nuk mund ta mohojmë ne këtë.
Prokuroria nuk mund të kishte absolutisht asnjë devijim nga kualifikimi i tyre grup i strukturuar kriminal.
Kanë vepruar së bashku, Balluku, Edi Rama, Ervis Berberi, Gjyli e stërgjyli, e çfarë janë dhe ato zonjat, kryetare të KVO-së e me radhë. Ata kanë qenë një grup. Se si mbahen të gjithë të pandehur dhe nuk kualifikohen grup i strukturuar kriminal apo organizatë kriminale, atë unë nuk mund ta them.
Pra, për ta mbyllur. Me kërkesën për pezullim nuk ka asnjë shkelje ligjore. Ka ushtrim të plotë të kompetencës në zbatim të ligjit të procedurës penale.
Ata që përpiqen, vetë ideja se ka marrë pushtetin e kryeministrit, i them atij hajduti, je ti që ke vjedhur paratë, por atyre mirë ua bënë që nuk lëshuan edhe ndaj teje, të njëjtin urdhër si ndaj Lubisë.
Ç’kompetencë ka marrë? Kompetenca jote qenka për të mbrojtur hajdutët.
Kompetenca jote qenka për të shfrytëzuar postin për të vjedhur paratë e qytetarëve, siç ke vjedhur. Pra se çfarë do të vendosin, unë i kam shprehur konsideratat e mia për atë gjykatë, nuk dua të shkoj më tutje.
Por akti i parë për mendimin tim, që gjykata duhej të bënte ishte të refuzonte shqyrtimin e kërkesës sepse ai vendim është në përputhje të plotë ligjore me kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Madje me kuadrin e ri ligjor të Republikës së Shqipërisë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE







