Shqipëria po regjistron një rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj gjatë periudhës Janar-Tetor 2025, duke shënuar një total prej 11.1 milionë hyrjesh, një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tendenca tregon një interes gjithnjë e më të madh për destinacionet shqiptare, me disa vende që shënojnë rritje të jashtëzakonshme.

Në krye të listës qëndron Izraeli, me një rritje prej 598.1%, duke kaluar nga 9,741 vizitorë në 68,002. Një tjetër vend që shënon një rritje të jashtëzakonshme është Egjipti, me 70.3%, dhe India me 62.2% rritje krahasuar me vitin e kaluar. Danimarka gjithashtu shënon një rritje të madhe prej 65.1%, duke treguar se turistët nga vendet nordike po zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre.

Shumë vende europiane shënojnë rritje të konsiderueshme referuar shifrave, ku mund të përmendim Gjermaninë me 22.1%, Estoninë me 22.4%, Francën me 36.9%, dhe Holandën me 11%. Kjo tregon një tendencë të fortë të interesit europian për destinacionet shqiptare.

Megjithatë, disa vende shënojnë ulje të hyrjes së shtetasve të tyre. Bjellorusia regjistron një rënie prej 15.6%, Polonia me 8.9%, dhe Spanja me 4%. Letonia shënon një rënie të theksuar prej 24.4%, ndërsa Malaizia ka një ulje prej 11.6%. Këto shifra tregojnë ndryshime në preferencat turistike për vendin tonë ose faktorë ekonomikë dhe sociale apo politike për vendin e origjinës.

Sa i përket turizmit ballkanik, vizitorët nga vendet fqinje vazhdojnë të jenë një pjesë e madhe e hyrjeve. Kosova mbetet lider me 4.2 milionë hyrje, duke shënuar një rritje prej 5.1%. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gjithashtu shënojnë rritje të lehta përkatësisht 7.3% dhe 3.1%.

Tendenca e përgjithshme tregon një rritje të qëndrueshme të interesit për Shqipërinë si destinacion turistik. Shifrat e fundit e INSTAT tregojnë se vendi po tërheq vizitorë nga të gjitha kontinentet, duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi të rëndësishme në hartën e turizmit rajonal./Tema

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu