
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur vendimin e plotë pas seancës së së shtunës, të kërkuar nga SPAK, ku u shqyrtua marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve të masave të sigurimit ndaj zv/kryeministres së pezulluar Belinda Balluku dhe dy vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Trupa gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Erjon Çela ka vendosur të lërë në fuqi masat e 19 nëntorit 2025. Për Belinda Ballukun mbetet në fuqi masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të funksionit” si Zv.Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjykata arsyetoi se Balluku, për shkak të pozitës dhe ndikimit, mund të cënojë procesin hetimor duke prishur prova, duke ndikuar te vartësit ose duke kryer vepra të reja në procedura të tjera tenderimi.
Ndaj Gentian Gjylit, drejtor i ARRSH, gjykata konfirmoi masën “arrest në shtëpi”, të vendosur sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale. E njëjta masë u la në fuqi edhe për Erald Elezin, administrator i KESH, me saktësimin e adresës nga e cila nuk lejohet të largohet.
Gjykata urdhëroi SPAK-un dhe Policinë Gjyqësore të zbatojnë vendimin, ndërsa palët kanë të drejtë ankimi në Apel brenda 5 ditëve.
Në njoftimin e paraqitur nga SPAK, organi i akuzës ka kërkuar verifikim të hollësishëm të kushteve të masave të vendosura, duke argumentuar se rreziku për cënimin e hetimit është i lartë. Hetimet ndaj Ballukut, sipas burimeve të qëndrueshme, po shtrihen edhe në procedura të tjera tenderuese përtej çështjes së Unazës së Madhe dhe tunelit të Llogarasë.
Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se pezullimi i Ballukut është një nga hapat më të fortë të drejtësisë së re ndaj një zyrtareje të lartë qeveritare. Ajo tha se do të kishte qenë më e moralshme që Balluku të jepte dorëheqjen, ndërsa theksoi se SPAK duhet të hetojë edhe pasuritë e saj dhe të vartësve.
Lala ngriti disa pyetje kyçe që tashmë pritet të marrin përgjigje: A do ta ankimojë Balluku masën? A do të reagojë Kryeministri Edi Rama me shkarkim? Çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese nëse çështja shkon në këtë instancë?
Pas seancës, Balluku dhe vartësit e saj u larguan pa koment për median. Përballja e radhës pritet të jetë në Apel, ndërsa hetimet e SPAK-ut po thellohen në disa pista.







