
Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas vendimit të GJKKO-së që pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Kreu i qeverisë e quajti vendimin një rast “unikal në Evropë” dhe njoftoi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Pavarësia e gjyqësorit është arritje historike, por ka ende dobësi”
Rama theksoi se Shqipëria sot ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në edhe falë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar se kjo epokë e re u mundësua nga reforma në drejtësi.
Sipas tij, pavarësia e gjyqësorit nuk është një eksperiment i përkohshëm, por një autoshkëputje e madhe nga e kaluara, edhe pse ende shfaq dobësi që lidhen me një pushtet të ri “fëminor nga mosha dhe me reflekse antidemokratike”.
View this post on Instagram
“Pezullimi i një ministri? Rast unik në Evropë”
Kryeministri kritikoi vendimin e GJKKO-së, duke thënë se nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës i shkallës së parë të pezullojnë një anëtar të qeverisë, duke marrë, sipas tij, kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit.
Megjithatë, Rama theksoi se qeveria nuk do të përfshihet në përplasje institucionale.
> “Ne nuk i përgjigjemi një arbitrit të këtyre përmasave me arbitraritet dhe as nuk hyjmë në një betejë retorike.”
Paralajmërimi: Çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese
Në reagimin e dytë, Rama bëri të qartë se qeveria do ta çojë vendimin e pezullimit në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar atë cenim të funksionimit të ekzekutivit.
>“Do respektojmë vendimin e pezullimit të ministres, por do të kërkojmë pavarësinë e cenuar të funksionimit të qeverisë vetëm tek Drejtësia në Kushtetuese.
Këta jemi ne, ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund.”







