
Vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka shkaktuar një valë të menjëhershme reagimesh në politikën shqiptare. Opozita ka dalë në ofensivë të plotë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin e vërtetë të aferave që po hetohen dhe duke kërkuar largimin e tij nga detyra.
Sali Berisha: “Rama është iniciatori, Balluku vetëm bashkëpunëtore – fundi i një ngjarjeje të paralajmëruar”
Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti pezullimin e Ballukut një “kronikë të një ngjarjeje të paralajmëruar”. Sipas tij, Rama ka qenë vendimmarrësi i vërtetë në aferat e tunelit të Llogarasë dhe të aeroportit të Vlorës.
Berisha akuzoi kryeministrin se e përdori Ballukun “si kurban politik”, ndërsa vetë ka qenë iniciator i kontratave të dyshuara korruptive. Ai e quajti aktin e sotëm “makbethian” dhe tha se Rama nuk mund të shpëtojë duke sakrifikuar bashkëpunëtorët e tij.
“Pse Rama nuk i kërkoi dorëheqjen? Sepse nuk ia mbante! Në aferat e mëdha, vendimmarrësi i vërtetë është ai, jo Lubia. Kjo është fundi i tyre politik.” – u shpreh Berisha.
Gazment Bardhi: “Rama po përgatit grusht shteti – qeverisjen e dikton krimi i organizuar”
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin se po tenton të manipulojë perceptimin publik duke pretenduar se drejtësia po vendos për qeverisjen.
Sipas Bardhit, kjo teori vjen pikërisht nga ata që “kurrë nuk janë shqetësuar që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar”, ndërsa theksoi se Balluku është pezulluar vetëm nga detyrat ekzekutive, jo si deputete, duke nënvizuar se Gjykata dhe SPAK kanë respektuar ligjin.
“Edi Rama është duke përgatitur grusht shteti. Mjerimi në logjikë nuk e shpëton as të pandehurën Balluku, as të pandehurin e afërt Edi Rama.”
Belind Këlliçi: “Nuk ka më asnjë justifikim që Rama të mbetet kryeministër – fundi i një qeverie të korruptuar”
Zv/kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi, foli për “fundin moral dhe historik të qeverisë Rama”. Ai deklaroi se faktet, përgjimet dhe dokumentet tregojnë se kryeministri është në majën e skemës së dyshuar korruptive.
Këlliçi paralajmëroi se zgjidhja nuk është pezullimi i ministrave, por dorëheqja urgjente e vetë Ramës.
“Ky është fundi i një qeverie të korruptuar në çdo qelizë. Normalizimi i Shqipërisë nis me largimin e menjëhershëm të Ramës.”







