Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nënshkruar të enjten vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi nuk është arritur asnjë marrëveshje që deputetët të provojnë t’i votojnë sot disa marrëveshje me rëndësi për vendin.

Këto deklarata i ka bërë Faton Peci nga partia Guxo. Ai ka thënë se partia e tij kërkon që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet gati për procesin zgjedhor.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kërkon që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor dhe që partia e tij shkon e vetme në zgjedhjet e reja.

Takimi është mbajtur një ditë pasi nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re më 19 nëntor.

Njëjtë sikurse Konjufca, as lideri i LVV-së, Albin Kurti, nuk pati arritur ta formojë Qeverinë e re më 26 tetor.

Për pasojë, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Partitë më të mëdha politike shqiptare nuk kanë arritur konsensus për një mori çështjesh prej mbajtjes së procesit zgjedhor dhe për pasojë proceset janë zvarritur deri më tani.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja Osmani duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Zyra e Presidencës nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për kohën e mundshme të shpalljes së zgjedhjeve./rel

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu