Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është transformuar  përkohësisht përmes një ndërhyrjeje artistike me titull “Dielli i Ditës Tjetër”, realizuar nga artistja Blerta Kambo. Instalacioni sjell një ndërthurje të fuqishme mes trashëgimisë kulturore dhe ndërgjegjësimit shëndetësor, duke përcjellë një mesazh solidariteti, guximi dhe shprese.

Mozaiku monumental “Shqipëria”, një nga simbolet ikonike të artit publik shqiptar, është kthyer në një hapësirë ku historia bashkohet me artin bashkëkohor. Artistja ka zgjedhur të vendosë mbi figurën kryesore femërore një element të ri artistik, rikontekstualizuar si një gjest simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit.

Ndërhyrja është realizuar me mjeshtëri mozaiku dhe është vendosur pa prekur strukturën origjinale, duke qëndruar përkohësisht si një shtresë e jashtme mbi veprën ikonike. Ky instalacion sjell një thirrje të fortë për ndërgjegjësim dhe humanizëm, si një dedikim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me këtë sëmundje.

Sipas Ministrisë së Kulturës, vepra synon të krijojë një dialog të ri me publikun dhe të nxisë reflektimin mbi betejën e vazhdueshme të shumë grave shqiptare ndaj kancerit të gjirit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu