Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në emisionin “Cinque Minuti” të Bruno Vespa-s, ku foli për marrëdhëniet me Italinë, krizën e emigracionit, luftën në Ukrainë dhe rolin e inteligjencës artificiale në qeverinë shqiptare. Gjatë intervistës, ai konfirmoi se plani Itali–Shqipëri për emigracionin do të vazhdojë, pavarësisht përpjekjeve për ta bllokuar në nivel europian, duke theksuar se Giorgia Meloni është “një lidere që nuk heq dorë”. Ai shtoi se brenda qershorit pritet një përgjigje nga BE, që mund t’u japë shteteve më shumë liri veprimi për menaxhimin e emigrantëve dhe vendeve të sigurta.

Rama u shpreh se vende të tjera të Europës kanë kërkuar të kopjojnë marrëveshjen me Italinë, por Shqipëria i ka refuzuar këto kërkesa, pasi ky model është “ekskluzivitet i një marrëdhënieje shumë të veçantë me Italinë”. Ai vuri në dukje edhe faktin se gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive, të gjithë ministrat shqiptarë folën italisht, gjë që sipas tij tregon lidhjen e fortë kulturore mes dy vendeve.

Në pjesën e dytë të intervistës, Kryeministri foli për projektet e nënshkruara me Italinë, duke veçuar bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, energjinë dhe ndërtimin e një linje të re interkoneksioni që do të lidhë Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë. Ai theksoi se projektet e sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi në shëndetësi janë po ashtu thelbësore.

I pyetur për luftën në Ukrainë, Rama tha se Europa duhet të ulë kokën dhe të formulojë një plan të qartë paqeje, duke theksuar se mungesa e një strategjie rrezikon ta kthejë kontinentin në një aktor të parëndësishëm. Sipas tij, BE duhet të gjejë një rrugë për të mbyllur konfliktin, pa u tërhequr nga mbështetja për Kievin.

Një moment që ngjalli interes ishte pyetja e Vespa-s për “Diellën”, ministren virtuale të qeverisë shqiptare, të krijuar me inteligjencë artificiale. Rama tha se Diella është anëtare e vërtetë e kabinetit dhe se së shpejti do të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë. Ai shtoi se roli i saj është të shpejtojë dhe të bëjë më transparente procedurat publike, sidomos prokurimet, duke reduktuar ndërhyrjen njerëzore dhe rrezikun e korrupsionit. Madje premtoi se në pranverë Diella mund të shfaqet edhe në “Porta a Porta”.

Vespa e mbylli intervistën me urime për Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, duke e falënderuar Ramën për pjesëmarrjen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu