Shqipëria ka marrë fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kombeve duke mposhtur 3-0 San Marinon në stadiumin “Olimpico” të Serravalles.

Kuqezinjtë e Rolando Maran zgjidhën ndeshjen me golat e Anis Mehmetit, Myrto Uzunit dhe Rey Manajt duke vijuar me pikë të plota rrugëtimin pas suksesit ndaj Bjellorusisë.

Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 21-të. Pas një goditjeje nga këndi Manaj devijoi topin drejt shtyllës së dytë ku Mehmeti e dërgoi në rrjetë.

Vetëm gjashtë minuta më vonë erdhi edhe goli i dytë. Goditja e dënimit e Manajt u grushtua nga portieri i San Marinos ndërsa Uzuni përfitoi duke e dërguar topin në rrjetë. Goli u kontrollua për rreth dy minuta nga VAR-i dhe më pas u konfirmua.

Pjesa e parë u mbyll 2-0 ndërsa në të dytën San Marino tentoi të krijonte më shumë rrezik. Sherri u tregua vendimtar në minutën e 57-të duke ndalur tentativën e Nani.

Në minutën e 65-të Shqipëria vulosi rezultatin. Pas zhvillimit të një goditjeje këndi topi përfundoi te Manaj i cili pas dy tentativave mposhti portierin vendas për golin e tretë.

Trajneri Maran kishte bërë disa ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen ndaj Bjellorusisë. Sina debutoi në mbrojtje ndërsa Sherri mori vendin e Berishës në portë. Në pjesën e dytë pati minuta edhe për Kumbullën, Hoxhën, Shpendin dhe Qefalijën.

Me fitoren 3-0 ndaj San Marinos Shqipëria regjistron suksesin e dytë në dy ndeshjet e para të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu