
Gjykata e Korçës liron nga burgu 27-vjeçarin Kevi Muçollari,i cili u arrestua disa ditë më parë pas sherrit në Bashkinë e Pogradecit.
Mësohet se Gjykata e Korçës e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm, duke vendosur lirimin e tij nga qelia.
Kujtojmë se gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak me prezencë të qytetarëve, Kevi Muçollari sulmoi fizikisht një prej anëtarëve të këshillit.
Sherri mes tyre nisi pas miratimit të listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 hektarësh në Çërravë, që mund të jepen me qira. Sipas dëshmitarëve, këshilltari Engjëll Shyti është ngritur nga tavolina dhe është konfrontuar fizikisht me Kevi Muçllarin, një prej përfaqësuesve të banorëve të Çërravës.
Pas incidentit, Kevi Muçllari foli për mediat, duke sqaruar se momenti i acarimit erdhi pas miratimit të vendimit dhe se ata u kërcënuan nga këshilltari Engjëll Shyti.
“Siç e patë edhe vetë pati një moment tensioni sepse Engjëll Shyti, këshilltar u ngrit dhe na kërcënoi për shkak të asaj që thashë unë, moment acarimi, tensioni. Kuptohet pas miratimit të vendimit që ne ishim totalisht kundër”, tha ai, ndërsa shtoi se situata ishte e qetë deri në momentin që kryetari i bashkisë i cilësoi kundërshtimet si “teka”.
Muçllari u shpreh se banorët dhe përfaqësuesit e tyre nuk do ta lënë çështjen me kaq, duke paralajmëruar ndjekje ligjore./panorama







