
Nga LEA VERITAS
Pak orë përpara atentatit në Rinas, ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Brendshme se policia nuk mund të parandalojë ngjarjet kriminale.
Një deklaratë që në thelb ka një të vërtetë, por që në kontekstin e zhvillimeve të mëvonshme ngre shumë pikëpyetje.
Kociu raportoi ulje të krimeve të rënda dhe rritje të zbulueshmërisë penale.
Por vetëm pak orë më vonë, atentati i kryer në mes të ditës në zonën e aeroportit “Nënë Tereza” tregoi se shifrat nuk mjaftojnë për të ndërtuar ndjesinë e sigurisë.
Në vende ku shteti funksionon fort, siguria nuk matet me numra, por me bindjen se krimi nuk guxon të sfidojë hapur rendin publik.

Koçiu ka të drejtë kur thotë se policia nuk mund të ndalojë çdo konflikt privat apo krim pasioni.
Por ngjarje si ajo në Rinas nuk mund të justifikohen në të njëjtën mënyrë.
Ato nuk janë spontane – janë akte të organizuara, të planifikuara dhe tregojnë boshllëqe serioze në kontrollin e territorit.

Në shtetet e sundimit të ligjit, askush nuk pret që një polic të jetë kudo, por kërkohet një sistem që parandalon përmes informacionit, analizës dhe pranisë në terren.
Në rastin e Rinasit, krimi veproi hapur, në një zonë të mbipopulluar, duke rrezikuar dhjetëra qytetarë.
Ky është një sinjal se shteti duhet të forcojë parandalimin, jo vetëm reagimin pas ngjarjes.
Deklarata e ministres mund të jetë teknikisht e drejtë, por në momentin që u bë, tingëllon si dorëzim përballë realitetit kriminal.
Ngjarja në Rinas tregoi se siguria nuk është thjesht statistikë, por ndjesia se shteti është aty për të garantuar që askush të mos guxojë të sfidojë rendin në mes të ditës.
Po, vrasjet nuk parandalohen, por një “togë pushkatimi” që nxjerr kallashët pranë aeroportit ndërkombëtar dhe ekzekuton njerëz DUHET dhe MUND të parandalohet!!!







