
Një mobilieri në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Vlorës është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një ngjarje që po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme.
Sipas burimeve nga policia, zjarri shpërtheu rreth orës 03:00, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentet kur një person i maskuar afrohet pranë godinës, thyen xhamin e derës me çekiç dhe më pas hedh benzinë në ambientin e brendshëm, duke i vënë flakën.
Pas aktit të zjarrvënies, autori është parë të largohen me shpejtësi në drejtim të paditur.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë arritur të neutralizojnë flakët pas disa orësh pune intensive. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa janë sekuestruar pamjet filmike që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.




