Zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashki po sjellin një risi teknologjike në procesin zgjedhor: Inteligjenca Artificiale (AI) do të përdoret për herë të parë për numërimin e votaveBashkinë e Tepelenës, si pjesë e një projekti pilot të KQZ-së.

Megjithatë, pavarësisht njoftimit zyrtar, komisioni zgjedhor lokal në Tepelenë nuk ka marrë ende asnjë udhëzim apo pajisje për këtë proces, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të aplikohet në praktikë teknologjia e re.

KQZ: Proces normal, por 18 qendra pa lidhje interneti

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat mëngjesin e sotëm, tha se procesi i votimit ka nisur normalisht në të pesë bashkitë, ndërsa raportoi se 2.42% e zgjedhësve kanë votuar deri në orën 10:00.
Sipas tij, nuk janë shënuar problematika në përdorimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, por 18 qendra votimi nuk kanë raportuar të dhëna për shkak të mungesës së mbulimit me internet.

“Procesi i votimit ka nisur pa probleme dhe identifikimi i zgjedhësve po kryhet elektronikisht. Në disa zona, për shkak të mungesës së internetit, informacioni po vonohet,” – deklaroi Celibashi.

Numërimi me AI: pilot në Tepelenë

Celibashi konfirmoi se në bashkinë e Tepelenës do të aplikohet numërimi i votave përmes Inteligjencës Artificiale, një proces që do të krahasohet me numërimin manual për të vlerësuar saktësinë dhe efektivitetin e sistemit të ri.

“Në Tepelenë do të aplikojmë numërimin e fletëve të votimit edhe me AI. Rezultatet do të publikohen në faqen e KQZ-së, të krahasuara me ato të numërimit manual. Në mbyllje të procesit do të japim më shumë detaje,” – u shpreh Celibashi.

Kreu i KQZ-së shtoi se numërimi do të transmetohet live në faqen zyrtare të Komisionit, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë e procesit.

Mungesë koordinimi në Tepelenë

Ndërkohë, burime nga komisioni KZAZ nr. 80 në Tepelenë raportojnë se nuk kanë marrë asnjë udhëzim teknik apo pajisje për përdorimin e sistemit me AI.
Sipas tyre, deri në orët e paradites, nuk kishte mbërritur asnjë material apo komunikim zyrtar mbi mënyrën e implementimit të këtij projekti pilot.

Ky boshllëk komunikimi ka ngritur pikëpyetje mbi gatishmërinë institucionale për aplikimin e Inteligjencës Artificiale në zgjedhje, megjithëse projekti shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të procesit zgjedhor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu