
Në SPAK, Belinda Balluku ka përfunduar prej ish kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe kryetarit të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, kallëzimet e të cilëve janë mbledhur në një, në dosjen e bujshme.
Dokumentet hetimore të siguruara nga dosja e SPAK zbardhin një sërë bisedash dhe vendimesh të dyshuara si të paligjshme në procesin e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë afro 19 miliardë lekë.
Sipas akteve të administruara nga hetuesit, operatori ekonomik “Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi & ASL Insaat Taahhut Ve Sanayi Ticaret Limited Sirket” është shpallur fitues në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.
Në dosje thuhet se kjo ka ndodhur përmes ndërhyrjeve të paligjshme të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në bashkëpunim me kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, dhe anëtarët Gentian Gjyla, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica — veprime që, sipas prokurorisë, bien ndesh me ligjin “Për Prokurimin
Bisedat e zbardhura nga telefoni i Berberit
Hetuesit kanë sekuestruar një telefon “Blackberry” që i përkiste Evis Berberit, ku janë gjetur mesazhe të drejtpërdrejta me Belinda Ballukun në lidhje me kriteret e tenderit.
Më 26 janar 2021, Balluku i shkruan Berberit:
“Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperiencën e objekteve të ngjashme nga 5 vite në 3???”
Berberi i përgjigjet:
“Kërkoi Pellumbi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit.”
Në vijim, Balluku pyet:
“Po cne? Kush e bëri kërkesën e KPP?”
Berberi ia kthen:
“Te takimi që patëm më 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin, ai kërkoi që të jetë 3 nga 5 vitet e fundit.”
Ky ndryshim i kritereve, sipas SPAK, ka ndikuar drejtpërdrejt në shpalljen fituese të kompanisë turke, duke përjashtuar konkurrencën.
Në një tjetër bisedë të datës 18 mars 2020, Balluku dhe Berberi diskutojnë për ecurinë e procedurës dhe anulimin e saj:
Balluku shkruan:
“Mendoj ta anullojmë. Skualifikoji të gjithë.”
Berberi i përgjigjet:
“Jam mëse dakord. Nëse kam diçka që s’më kuadron me gjithë situatën, kur e do sot apo nesër?”
Në fund të ditës, Balluku e urdhëron:
“Mbylleni sot me urgjencë.”
Hetuesit thonë se kjo tregon ndërhyrje direkte në vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ndikim të padrejtë në proces.
Vendimi për pezullim dhe roli i komisionit të ankesave
Më herët, me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, procedura e tenderit ishte pezulluar për shqyrtim nga Komisioni i Ankesave, i përbërë nga Vjollca Bazaiti (kryetare), Blerta Dyrmishi dhe Anisa Gjonedaj.
Megjithatë, në vendimin përfundimtar të datës 21 dhjetor 2020, ky komision vendosi të mos pranojë ankesën e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, duke i hapur rrugë firmës turke për të fituar tenderin.
SPAK nis hetimet pas kallëzimeve të opozitës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar dy procedime penale për këtë çështje, pas kallëzimeve të paraqitura nga Lulzim Basha më 9 gusht 2024 dhe Gazment Bardhi më 12 shtator 2024, për veprën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, sipas nenit 258 të Kodit Penal.
Hetimet për tenderin e tunelit të Llogarasë, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, janë në fazë të avancuar.
Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se komunikimet e sekuestruara, ndryshimet e kriterit të eksperiencës, si dhe ndërhyrjet në procedurat e prokurimit, do të jenë pjesë kyçe e provave në dosjen që mund të çojë në akuza për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera ndaj zyrtarëve të përfshirë.







