
Qarku Shkodër është zona më e prekur nga reshjet me intensitet të lartë.
Që nga mëngjesi i sotëm, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura kanë ndjekur situatën në bashkinë Vau Dejës, ku aktualisht gjendja po normalizohet. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm, dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.
Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e argjinaturave mbrojtëse.
Gjithashtu, punë po kryhet edhe në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi për pastrimin e inerteve nga rrëshqitjet e gurëve, duke siguruar qarkullimin normal të mjeteve.
Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohet asnjë problematikë në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.
AKMC, Forcat e Armatosura, dhe strukturat e emergjencave civile të bashkive janë në gatishmëri dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.






