Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ftoi opozitën që t’i bashkohet protestës për liderët e UÇK-së në Hagë. Bojkotin e PD-së ai e cilësoi si një vendim kundër interesave kombëtare.

“Hajdeni nesër, se kryeministri nuk është. Me kushtin që të mos e politizojmë. S’doni të vini në sheshin ‘Skënderbej’, bëjeni tuajën në SHQUP ose në një shesh tjetër,” tha Balla.

Ai iu përgjigj edhe një herë me argumente kërkesës së opozitës për një rezolutë të re mbi Kosovën.

“Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar nga viti 1991 deri në vitin 2025 nëntë rezoluta dhe njëmbëdhjetë deklarata që lidhen me gjithçka ka ndodhur në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Po shikoja për kuriozitet rezolutën e miratuar në vitin 1991, e cila u votua me konsensus të plotë nga deputetët e asaj legjislature,” tha Balla.

Sipas tij, Sali Berisha të cilin e quajti “dhëndri i mirë” i Serbisë” iu vu kundër Kosovës duke thyer embargon e naftës ndaj regjimit të Millosheviçit.

“Si ka mundësi që gjatë qeverisjes tënde, Sali, u ndoqën, u përndoqën dhe u arrestuan drejtues të UÇK-së këtu në Tiranë? Dhe si ka mundësi që pati edhe akuza për vrasjen e njerëzve të UÇK-së në Shqipëri?” u shpreh Balla.

Ai shtoi se Berisha nuk ka nxjerrë kurrë nga goja një fjalë për komandantët që mbahen në Hagë.

“Për habinë time, në Leskovc tifozët serbë, kur donin të na shanin, thërrisnin ‘Sali Berisha, Sali Berisha’. E thërrisnin sepse Saliu është dhëndri i mirë i Serbisë – i ka shërbyer mirë Serbisë,” deklaroi Balla.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu