Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, “nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet”, duke theksuar se vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencë për të vlerësuar shkeljen e Kushtetutës nga presidenti. Ai kritikoi akuzat politike si të pabazuara dhe kërkoi respekt të etikës institucionale në raport me institucionin e Presidentit.

Balla foli gjatë mbledhjes së sotme për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se edhe partitë e vogla parlamentare, pa grup parlamentar, duhet të jenë të përfaqësuara në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ai shtoi se propozimi i Partisë Socialiste është i njëjtë me praktikat e mëparshme, duke garantuar barazi në numër dhe të drejtën e vetos për të gjitha partitë.

“Propozimi ynë ka qenë i njëjtë, që gjithmonë të jemi të barabartë, edhe në numër edhe në të drejtën e vetos. Kjo është garancia më e madhe që dy partitë e mëdha kanë. Por Partia Socialiste dëshiron që të gjitha partitë parlamentare të jenë aty,” tha Balla, duke iu referuar vendimeve të mëparshme të Kuvendit për ngritjen e komisioneve për reforma.

Duke iu përgjigjur pyetjes për Presidentin Begaj, Balla theksoi:
“Unë nuk merrem me thashetheme. Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Shkeljen e Kushtetutës e vërteton vetëm Gjykata Kushtetuese.”

Në të njëjtën kohë, Balla foli edhe për manifestimin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë, duke theksuar pjesëmarrjen e Partisë Socialiste dhe solidaritetin me ushtarët e rënë:
“Është një aktivitet kombëtar, jo partiak. Kush e ka zemrën në vendin e duhur dhe kujt i dhemb për kombin duhet të jetë të premten atje. Do jem atje për të shprehur solidaritetin tim,” deklaroi ai.

Balla shtoi se pjesëmarrja e grupit parlamentar do të jetë e koordinuar me organizatat e veteranëve, ndërsa fjalën do ta marrin vetëm ata që përcaktohen nga këto organizata. Ai vuri në dukje rëndësinë e mbajtjes së unitetit kombëtar dhe respektimit të historisë së luftës për çlirimin e Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu