Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutuan disa çështje të rëndësishme që lidhen me kalendarin dhe organizimin e punimeve parlamentare.

Programi i punës kalon në seancë plenare për votim

Pika e parë e rendit të ditës përfshinte shqyrtimin e projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 20 tetor – 28 nëntor 2025, si edhe projektkalendarin e punimeve për periudhën 20 tetor – 7 nëntor 2025.

Pas diskutimeve mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi, ndaj çështja do t’i paraqitet seancës plenare për votim.

Miratohen komisionet e posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale

Pika e dytë dhe e tretë e rendit të ditës lidhej me kërkesat e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare:

  • Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore;
  • Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Konferenca e Kryetarëve arriti dakordësi dhe miratoi të dyja kërkesat, duke hapur rrugën për nisjen e dy proceseve të rëndësishme reformuese.

Tri nënkomisione të reja pranë Komisionit të Bujqësisë

Në pikën e katërt, u shqyrtua kërkesa e Kryetarit të Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural për ngritjen e tre nënkomisioneve të reja pranë këtij komisioni parlamentar.

Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën, duke miratuar krijimin e tre nënkomisioneve që pritet të rrisin efektivitetin e punës në fushat përkatëse.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu