
Zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës pritet të zhvillohen në një klimë të tensionuar politike: me Kuvendin e konstituuar vetëm pas gjashtë muajsh përpjekje dhe me Qeverinë ende në detyrë.
Kjo situatë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, i jep këtij procesi elektoral një dimension më të gjerë sesa thjesht lokal. Megjithatë, ata nuk presin që kriza në nivel qendror të ndikojë ndjeshëm te sjellja e votuesve në komunat e Kosovës. Për ta, zgjedhjet lokale mbeten më të lidhura me emrat konkretë dhe me performancën e kandidatëve sesa me përkatësinë partiake.
“Votuesi kosovar është treguar i pavarur”
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përvojat e deritashme tregojnë se politika qendrore rrallë ka ndikuar në rezultatet lokale.
Ai përkujton rastin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, por arriti të sigurojë vetëm katër komuna në nivel lokal.
“Zgjedhjet lokale funksionojnë krejt ndryshe dhe qytetarët, duke qenë se kanë për të votuar një kandidat konkret, me emër e mbiemër, i cili jo me patjetër është i atashuar shumë me partinë, atëherë vendimet e tyre janë goxha të pavarura. Në këtë kuptim, votuesi i Kosovës është treguar se është mjaft i emancipuar”, thotë Paçarizi.
Qytetarët skeptikë për ndryshime të mëdha
Në Prishtinë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk presin ndryshime të mëdha nga këto zgjedhje.
Vlora Kurtishaj shprehet se, ndonëse fushatat e kandidatëve premtojnë përmirësim të jetës së qytetarëve, prioriteti kryesor i partive mbetet marrja e pozitave në pushtetin lokal.
“Unë vetëm po uroj që paraja e qytetarëve, taksat tona, të mos keqpërdoren dhe të kthehen në mirëqenie për qytetarët,” thotë ajo.
Afrim Hyseni beson se ndryshime mund të ndodhin vetëm në komunat e vogla:
“Sepse aty, edhe nëse gënjejnë, gënjejnë më butë, sepse komuna është e vogël. Në komunat e mëdha është kaos.”
Ndërsa Agim Zymberi nga Vushtrria mendon se shumë qytetarë, të lodhur nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund t’i bëjnë fletëvotimet jovalide.
“Nuk po arrijnë ta formojnë Qeverinë, e çfarë të presim diçka më konkretisht prej komunave?”, thotë ai.
Fund i “bastioneve” politike
Në analizën e Paçarizit, këto zgjedhje do të shënojnë fundin e konceptit tradicional të “bastioneve” politike.
“Unë nuk besoj se në Kosovë mund të flitet më për bastione, por për kryetarë që kanë performuar mirë në sytë e qytetarëve ose që mund të performojnë mirë”, thotë ai.
Qëndrim të ngjashëm ndan edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Agon Maliqi, i cili thekson se dinamika e zgjedhjeve lokale në Kosovë shpesh ka prodhuar befasi dhe përmbysje.
“Në zgjedhjet lokale, votuesit kosovarë kanë treguar tendencë më të madhe se në nivel qendror për të befasuar dhe për t’i përmbysur bastionet”, shpjegon Maliqi.
Ai shton se sistemi i balotazhit luan një rol të rëndësishëm në këtë fenomen, pasi detyron votuesit e partive të tjera të zgjedhin mes dy kandidatëve në raundin e dytë. Pikërisht kështu, sipas tij, Vetëvendosje e fitoi për herë të parë Prishtinën.
Prishtina dhe Mitrovica e Jugut, garat kyçe politike
Sipas analistëve, rezultatet lokale do të shërbejnë si mjet pozicionimi për partitë në nivel kombëtar.
Prishtina shihet si barometër politik, ku përballen LDK, Vetëvendosje dhe PDK.
“Prishtina është ai vendi i përmbysjeve ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes. Tashmë ka hyrë në garë goxha mirë edhe PDK dhe nuk kemi një garë dikotomike, por një garë trinome,” vlerëson Paçarizi.
Balotazhi, sipas tij, mund të ndikojë në krijimin e aleancave të reja që do të reflektohen edhe në zgjedhjet parlamentare.
Maliqi e sheh gjithashtu garën për kryeqytetin si një “test politik” që mund të përcaktojë kursin e ardhshëm elektoral të Kosovës.
“Zakonisht në Prishtinë shfaqen ato tendencat e para ose shenjat e kursit më të gjerë kombëtar,” thotë ai.
Një tjetër garë me peshë është ajo në Mitrovicën e Jugut, ku përplasja ndërmjet kandidatit të Listës Guxo dhe atij të PDK-së shihet si një mini-referendum për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj veriut të vendit.
Lista Serbe dhe pluralizmi i kufizuar në veri
Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, zgjedhjet zhvillohen në një realitet krejt tjetër politik.
Pas dorëheqjeve të përfaqësuesve serbë në vitin 2022, katër komunat veriore janë drejtuar nga kryetarë shqiptarë. Këtë herë, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, pritet ta rimarrë kontrollin në shumicën e komunave, ndonëse gara do të ketë më shumë aktorë.
Sipas Miodrag Milliqeviq nga organizata “Aktiv”, përveç Listës Serbe, në garë janë edhe disa parti dhe iniciativa të tjera qytetare. Megjithatë, ai parashikon që Lista Serbe do të ruajë epërsinë në shumicën e komunave, si në vitin 2021.
“Kjo qasje e Qeverisë së Kosovës ndaj Listës Serbe ka forcuar bindjen e votuesve lokalë se orientimin politik duhet ta drejtojnë drejt partisë më të fuqishme brenda komunitetit serb,” thotë Milliqeviq.
Megjithatë, ai shton se pakënaqësia ndaj kësaj partie po rritet dhe se pluralizmi në kuvendet komunale me shumicë serbe pritet të jetë më i gjerë.
Pamje e përgjithshme politike
Në zgjedhjet e fundit lokale, PDK doli fituese në nëntë komuna, LDK në shtatë, AAK në pesë dhe Vetëvendosje në katër, pavarësisht fitores bindëse të kësaj të fundit në nivel qendror vetëm disa muaj më parë.
Sipas analistëve, zgjedhjet e 12 tetorit pritet të përcaktojnë jo vetëm hartën e re lokale të pushtetit në Kosovë, por edhe ekuilibrat politikë kombëtarë, përfshirë ndikimin e Qeverisë Kurti në prag të formimit të kabinetit të ri.