Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se kërkesat e depozituara nga opozita për mocione me debat nuk kanë respektuar rregulloren e Kuvendit.

“Diskutimet janë bërë publike. Dua të garantoj se mazhoranca në Kuvend është e gatshme të pranojë dhe miratojë çdo kërkesë të opozitës, por ajo duhet të jetë në përputhje me mekanizmat parlamentarë që i njeh Kuvendit – interpelancë, mocion – dhe sipas rregullores që përcakton se mocioni me debat thirret për një çështje të veçantë. Ndërkohë, kërkesa e paraqitur përfshinte gjashtë çështje njëherësh”, tha Balla.

Ai i bëri thirrje opozitës që të riformulojë kërkesën deri të enjten, në përputhje me nenin 98 të rregullores, duke theksuar se në këtë rast mazhoranca do ta miratojë.

I pyetur për refuzimin e mocionit të opozitës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë, Balla theksoi se Kuvendi dhe qeveria shqiptare kanë qenë gjithmonë të qartë dhe koherentë në qëndrimet e tyre.

“Që ne mbështesim liderët e UÇK-së nuk ka asnjë dyshim. Shqipëria, qeveria dhe Parlamenti kanë dënuar të gjitha krimet dhe aktet gjenocidale në Kosovë që prej vitit 1991, pa pritur 26 vite. Vetëm në vitin 1999, në gjashtëmujorin e parë, janë miratuar katër rezoluta që dënonin masakrat serbe. Edhe në tetor 2023, Kuvendi miratoi një rezolutë për sulmin në Banjskë. Kjo është një çështje e mbyllur”, u shpreh ai.

Balla shtoi se është “lajthitje” të kërkosh sot nga Kuvendi që të marrë qëndrime për ngjarje që janë dënuar prej kohësh, ndërsa kujtoi se në vitet e luftës në Kosovë, një pjesë e Partisë Demokratike jo vetëm që nuk kontribuoi, por u përfshi në protesta dhe madje kompani të lidhura me të furnizonin me naftë makinerinë serbe.

Lidhur me idenë e një rezolute për proceset gjyqësore në Hagë, Balla rikujtoi se kjo është kompetencë e Parlamentit të Kosovës dhe vetëm pas një vendimi të tij, Parlamenti i Shqipërisë mund të marrë nisma përtej qëndrimeve politike të bëra publike.

Në fund, ai foli edhe për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke nënvizuar se tashmë çdo qytetar ka një adresë konkrete ku mund të depozitojë nisma apo ankesa, falë ngritjes së një komisioni të posaçëm për këtë çështje.

“Na duhet një qasje e re. Historia e raportimeve ka lënë shumë për të dëshiruar. Nuk them se komisioni i ligjeve nuk e ka bërë detyrën, por me një sy të dytë kemi më shumë garanci. Ftesa ime për opozitën është të bashkëpunojmë për një model të ri raportimi, për të shmangur seancat qesharake të së shkuarës”, u shpreh Balla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu