Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë dhe Kuvendin për situatën e krijuar me pagat e magjistratëve, duke deklaruar se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese po cenon pavarësinë e drejtësisë.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi deklaroi se magjistratët prej disa ditësh, sipas tij, nuk kanë bazën ligjore për të marrë pagat.

“Është fakt që sistemi i drejtësisë është futur në kolaps për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe mosveprimit të Kuvendit për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së kundërshtoi edhe qëndrimet e kryeministrit për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja. Sipas tij, Këshilli i Ministrave nuk ka përmbushur detyrimin për të propozuar projektligjin për pagat e magjistratëve.

Bardhi argumentoi se çështjet që prekin buxhetin e shtetit dhe financimin e një pushteti tjetër nuk duhet të zgjidhen përmes nismave individuale të deputetëve.

Në këtë kontekst, ai sulmoi projektligjin e paraqitur nga dy deputetë socialistë, duke pretenduar se nisma bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ligji i propozuar nga dy deputetë socialistë është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses”, deklaroi Bardhi, duke kërkuar bashkëveprim mes Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit për zbatimin e vendimit.

Sipas tij, pasojat kanë nisur të ndihen edhe në funksionimin e gjykatave. Bardhi pretendoi se në një prej gjykatave të vendit administrata nuk po ofron shërbime për qytetarët për shkak të situatës së krijuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu